Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) tashmë kanë nisur përgatitjet për fillimin e vaksinimit të personelit shëndetësor me vaksinën AstraZeneca, e cila ka arritur të dielën në Kosovë.
Profesionistët shëndetësorë të kësaj klinike kanë qenë tash e më shumë se 1 vit në vijë të parë të frontit në luftën me pandeminë Covid-19.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme për herë të parë me AstraZeneca u vaksinua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarja e OBSh-së në Kosovë, Isme Humolli, infektologu Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi. Vaksinimi u bë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Edhe sot do të vazhdojë vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve në sallën “1 Tetori”.
Në Kosovë më 28 mars, arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.
Kosova këto vaksina i ka marrë si donacion nga Kosova nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.