UBT News

Fillojnë bisedimet SHBA–BE për paqen në Ukrainë

Në Paris kanë nisur takimet mes përfaqësuesve të lartë amerikanë dhe evropianë, me fokus situatën në Ukrainë dhe sigurinë në rajon. I dërguari presidencial amerikan, Steve Witkoff, është takuar me zyrtarë francezë dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell.

Kryeqyteti francez është bërë qendër e një sërë bisedimesh të rëndësishme, ku marrin pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti francez Emmanuel Macron, zyrtarë të lartë nga Ukraina, si dhe përfaqësues të tjerë nga vendet aleate. Rubio ka mbërritur në Paris në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, Rubio dhe Witkoff pritet të zhvillojnë bisedime me homologët e tyre evropianë për të avancuar objektivin e presidentit Donald Trump: ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës dhe dhënien fund të gjakderdhjes.

Këto takime zhvillohen në një kohë kur po rriten shqetësimet lidhur me qëndrimin e Trump-it ndaj Rusisë dhe qasjen e tij ndaj çështjeve globale. Përveç përpjekjeve për paqe në Ukrainë, vëmendje kanë tërhequr edhe politikat e administratës së tij mbi tarifat ndaj aleatëve, si dhe deklaratat për NATO-n dhe çështje të tjera si ajo e Grenlandës.

Exit mobile version