Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP) kanë rënë dakord të fillojnë bisedimet me Partinë Social Demokratike (SPD) për formimin e një koalicioni të ri qeverisës në Gjermani pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Bisedimet do ta sjellin Gjermaninë një hap më pranë koalicionit “semafor”, i cili u emërua pas ngjyrave të këtyre tri partive.
Nuk kishte asnjë fitues bindës në zgjedhjet e mbajtura më 26 shtator, por SPD akoma mori më shumë vota sesa konservatorët e kancelares në largim Angela Merkel dhe zuri vendin e parë.
“Të Gjelbrit kanë sugjeruar që diskutimi i parë mbi opsionet të bëhet me SPD. Ne e kemi pranuar propozimin”, u tha gazetarëve kreu i FDP, Christian Linder, duke shtuar se ai kishte kontaktuar me kandidatin e SPD për kancelar, Olaf Scholz.
Të Gjelbrit dhe FDP gjithashtu lanë të hapur mundësinë e negociatave me Konservatorët, por thanë se tani për tani nuk do të ketë bisedime paralele.
Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, ku presidenti ose monarku fton drejtuesit e partive individuale në përpjekje për të formuar një qeveri, në Gjermani i takon vetë partive të vendosin.