Negociatat e para zyrtare për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare midis ushtrisë etiopiane dhe forcave nga rajoni verior i Etiopisë Tigray filluan sot në Republikën e Afrikës së Jugut, njoftoi qeveria e Afrikës së Jugut.
Bisedimet e paqes do të zgjasin deri të dielën dhe qëllimi është t’i jepet fund konfliktit në veri të Etiopisë, në të cilin mijëra njerëz kanë vdekur, ndërsa miliona janë zhvendosur dhe qindra mijëra njerëz janë në prag të urisë.
Afrika e Jugut pret që negociatat të jenë konstruktive dhe të çojnë në paqe afatgjatë për të gjithë etiopianët, tha zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut, Vincent Magvenia.
Negociatat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Afrikan, filluan pasi forcat qeveritare arritën fitore të rëndësishme në betejat kundër Frontit për Çlirimin e Tigray duke pushtuar disa qytete të mëdha në rajon gjatë javëve të fundit, njoftoi agjencia britanike.
Ofensiva nga forcat qeveritare, e mbështetur nga trupat aleate nga Eritrea fqinje, ka ngritur shqetësime rreth rritjes së viktimave civile, duke nxitur thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe fillimin e bisedimeve nga liderët afrikanë, SHBA dhe BE, përfshirë Papa Françeskun.
Fronti Çlirimtar Tigray kontrollon atë rajon në Etiopinë veriore.