UBT News

Fillojnë afatet për aplikim online të subjekteve politike për certifikim

Ka filluar afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje e parakohshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se afati do të përfundojë me 30 nëntor.

Kjo periudhë do të zhvillohet në dy afate të ndryshme:

I.    Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025; dhe

II.   Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 7 dhjetor 2025.

Me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre.

Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës, do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (koalicionet, iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje./EO

 

Exit mobile version