Edhe në komunën e Obliqit ka filluar sot vaksinimi i personelit shëndetësor. I pari i kësaj komune, Xhafer Gashi ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, ku po bëhet vaksinimi i personelit shëndetësor.
Gjatë kësaj vizite, nga drejtoresha e DShMS-së, Vlora Kabashi dhe drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, u njoftua nga afër për procesin dhe procedurat e vaksinimit, ekipet e QKMF-së po e administrojnë me profesionalizëm.
Sipas njoftimit të komunës, QKMF-ja aktualisht ka në dispozicion 70 vaksina për stafin mjekësor, kurse në total ka 105 profesionistë shëndetësorë.
Gashi ka falënderuar stafin e QKMF-së për angazhimin, punën dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë kohës në luftën me pandeminë COVID-19, duke theksuar se stafi shëndetësor janë heronjtë e vërtetë dhe vija e parë në parandalimin e këtij virusi, andaj është shumë e domosdoshme që të jenë të parët në këtë proces të vaksinimit./UBTNews