NASA ka humbur “rastësisht” kontaktin me Voyager 2, anijen e saj kozmike që ka mbledhur informacione të dobishme për sistemin tonë diellor pa pushim që nga viti 1977 .
Agjencia amerikane e hapësirës tha se kishte dërguar një seri komandash të planifikuara në anije më 21 korrik, por këto ndryshime kanë treguar se Voyager 2 është në drejtimin e gabuar.
Antena e saj tani është e drejtuar vetëm dy gradë larg Tokës. “Ajo as nuk mund të marrë komanda dhe as të dërgojë të dhëna”, tha NASA.
Normalisht, kjo do të bëhej duke kontaktuar me Deep Space Network, ose DSN, i cili është një grup antenash me bazë tokësore që lejojnë komunikimin me anije kozmike në distancë.
Por të dhënat e dërguara nga Voyager 2 nuk arrijnë në këtë rrjet. Duhen të paktën 18 orë që të dhënat nga anija të arrijnë në DSN. Voyager 2 tani po lëviz vetë,pothuajse 20 miliardë kilometra nga Toka.
Megjithatë, NASA ende shpreson se do të jetë në gjendje të rivendosë kontaktin me anijen pasi është planifikuar të riorientohet automatikisht – një operacion që e kryen disa herë çdo vit duke e drejtuar antenën e saj drejt Tokës.
Rivendosja e radhës pritet të bëhet më 15 tetor. Deri atëherë, agjencia hapësinore pret që anija “të qëndrojë në orbitën e saj të planifikuar gjatë periudhës së qetë”, tha ajo.
Siç sugjeron emri i tij, Voyager 2 ishte pjesë e një çifti, të dy të nisur në 1977. Voyager 1 është edhe më larg nga Toka – në 24 miliardë kilometra – dhe NASA thotë se vazhdon të funksionojë normalisht. Programi Voyager solli me vete një numër rekordesh: Voyager 2 është e vetmja anije kozmike që ka vizituar Uranin dhe Neptunin , dhe së bashku ata janë e vetmja anije kozmike që ka hyrë ndonjëherë në hapësirën ndëryjore.
Edhe gati 50 vjet pas nisjes së tyre, çifti i anijeve kozmike Voyager vazhdojnë t’i dërgojnë informacione të dobishme dhe të rëndësishme NASA-s për shqyrtim nga shkencëtarët në Tokë. Ata kanë kontribuar në një mori gjetjesh të reja rreth shtrirjeve të largëta të sistemit tonë diellor./syri.net