Filipinet pas dy vitesh hoqën ndalesën për vizitorët e huaj, në përpjekje për ta shpëtuar turizmin dhe industritë e tjera të lidhura me të, të goditura nga pandemia COVID-19.
Vizitorët e huaj nga 157 vende, që kanë dëshmi se janë të vaksinuar plotësisht dhe se rezultuan negativ, do të mirëpriten në Filipine. Atyre s’do t’u kërkohet të karantinohen.
“Ne do të fillojmë kapitullin tjetër në rrugën drejt rimëkëmbjes”, thuhet nga Ministria e Turizmit. Sipas tyre, hapja e kufijve ndikon që të krijohen më shumë vende pune dhe do të gjenerohen më shumë të ardhura në ndërmarrjet dhe komunitetet që lidhen me turizmin.
Më shumë se një milion filipinas humbën punën vetëm në vitin e parë të pandemisë, sipas statistikave të Qeverisë. Destinacionet e turizmit, përfshirë këtu plazhet e njohura dhe ishujt tropikal, u ngjanin qyteteve fantazmë në kulmin e bllokimeve pandemike. Situata u përkeqësua edhe pas një shpërthimi vullkanik dhe tajfuneve./UBTNews