Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur takimi i grupit për implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë –AVLE. Takimi u kryesua nga Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Blerim Gashani, përkatësisht Koordinatori Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve.
Në këtë takim u bë një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha objektivave strategjike dhe zbatimit në praktikë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe Udhërrëfyesi Rajonal, ku u konstatua se një pjesë e madhe e aktiviteteve janë duke u zbatuar sipas dinamikës së planifikuar, ndërkohë që u diskutuan edhe sfidat për disa aktivitete tjera.
Ky takim pati theks të veçantë, fushatën vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB dhe me këtë rast zëvendësministri Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive.
Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi sipas tij ka një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna. Ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht sipas tij në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave.
“Në këtë takim si sfidë e rëndësishme u diskutua edhe forma e cilësimeve të veprave, në rastet kur ka të shtëna me armë dhe i gjithë grupi u dakordua se kjo formë në të ardhmen duhet të ndryshojë bazuar në ligjet në fuqi dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Raportoni rastet e të shtënave në policinë e Kosovës”, përfundon njoftimi.