UBT News

​Ferronikeli redukton fuqinë punëtore

Për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet, kompania Ferronikeli Complex do të zbatojë një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore.

Në një komunikatë për media thuhet se ky vendim vjen pas më shumë se dy vjetësh të vështirë për të mbajtur operacionet dhe ruajtur të gjitha vendet e punës që nga ndalimi i plotë i prodhimit në tetor 2023.

Gjatë kësaj periudhe, kostot fikse operative, pagat dhe mirëmbajtja e kompleksit, janë financuar plotësisht nga kompania pronare. Në dy vjetët e fundit, Ferronikeli ka ndjekur nga afër luhatjet në tregjet globale të metaleve dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike në Evropë – faktorë të jashtëm që kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit dhe kanë dëmtuar qëndrueshmërinë financiare.

Pavarësisht angazhimeve serioze për uljen e kostove, operacioneve të reduktuara, orëve të reduktuara të punës dhe mbajtjes së furrës kryesore në gjendje të ngrohtë, mungesa e vazhdueshme dhe e gjatë e të ardhurave e ka bërë gjendjen financiare të paqëndrueshme, thuhet në njoftim.

Pas vlerësimit, menaxhmenti ka vendosur se mbajtja e fuqisë punëtore aktuale pa prodhim është bërë e pamundur, andaj kompania nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë me largimin kolektiv në përputhje të plotë me Ligjin e Punës.

“Të gjithë punonjësit e prekur do të marrin të drejtat e tyre ligjore deri në datën e ndërprerjes, dhe njoftimet individuale do të lëshohen sipas procedurave ligjore”.

Kompania mbetet e përkushtuar për një proces të drejtë, transparent dhe me respekt ndaj secilit punonjës.

Ferronikeli mbetet thellësisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj, dhe sapo kushtet e tregut të lejojnë rifillimin e prodhimit, punonjësit e prekur do të kenë prioritet për ripunësim.

Një numër i kufizuar personelit thelbësor do të mbetet për të siguruar integritetin e kompanisë, të menaxhojë licencat minerare dhe të përmbushë detyrimet ligjore.

Pavarësisht sfidave aktuale, Ferronikeli mbetet e bindur në potencialin afatgjatë të prodhimit të nikelit dhe është e vendosur të rikthejë operacionet e plota sapo të kthehet stabiliteti i tregut, përfundon komunikata.

Kompania nuk ka bërë të ditur numrin e punëtorëve që do të mbeten pa punë, ndërkohë që raportohet se ky numër do të jetë 358./S.K/KP/

Exit mobile version