Fermerët në Spanjë, prodhuesi më i madh në botë i portokajve dhe vajit të ullirit, nisën protestat të pakënaqur me rregulloret burokratike evropiane, rritjen e kostove të prodhimit dhe importin e ushqimeve më të lira nga Maroku fqinj, ndaj sot u pritën nga ministri Luis Planes që situata të mos përshkallëzohet.
Protestuesit dolën në rrugët e qyteteve Sevilla dhe Zamora këtë javë për t’u ankuar se kostot e tyre janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, i shoqëruar nga një thatësirë e madhe që ka shkatërruar fushat e tyre.
“Po bëhet e padobishme ta bësh këtë”, tha 48-vjeçari Antonio Gracia në fshatin Montesusin, në Spanjën verilindore. Ai kujdeset për 400 lopë, të cilat i ushqen me misër vendas dhe ushqime të tjera, por për prodhimin e tyre ka nevojë për plehra dhe lëndë djegëse, të cilat janë rritur në mënyrë drastike.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja na thërret për ndotjen e vendit me pesticide dhe na vendos rregulla të shtrenjta”, shton ai. Ai thotë se vajzave të tij, 12 dhe 16-vjeçe, i ka rekomanduar që të mos merren me bujqësi, që edhe ato të largohen nga fshati 150 banorë si shumë të rinj para tyre.
Përfaqësues të tre sindikatave bujqësore u takuan në Madrid me ministrin kompetent Luis Planes nga i cili kërkuan që të ndalonte importin e produkteve më të lira nga Maroku fqinj, nëse nuk plotësojnë standardet në fuqi në Bashkimin Evropian.
Ata kundërshtuan gjithashtu nënshkrimin e marrëveshjes së shpallur të tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe bllokut të vendeve të Amerikës së Jugut MERCOSUR, si dhe kërkuan kompensim më të lartë monetar për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe thatësirës.
Ata gjithashtu kërkojnë lehtësimin e rregulloreve të vendosura nga BE për fermerët, si pjesë e Politikës së Përbashkët Bujqësore Evropiane (CAP), me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
“Për shkak të burokracisë së komplikuar, shumë nuk kanë marrë ende stimujt në para”, tha Pedro Barato, president i sindikatës ASAJA, duke folur në TVE.
Ministri Planes tha se në Bruksel do të kërkojë të ndryshojë CAP në përputhje me interesat e fermerëve spanjollë.
Ai sulmoi Komisionin Evropian, duke thënë se tani, pas protestave në Francë, ka vendosur të ndryshojë disa rregulla që më parë nuk i ka dashur.
Të mërkurën, Brukseli propozoi eliminimin e detyrimit për të lënë një pjesë të tokës djerrë gjatë vitit 2024, pra jashtë përdorimit derisa të rikthehet pjelloria e tokës. Ministri spanjoll beson se ky propozim erdhi “shumë vonë”.
Ai vuri në dukje se ndryshimet e CAP, të cilat do të përfshijnë të 27 vendet, duhet të miratohen para fundit të prillit, kur do të mbahet seanca e fundit e Parlamentit Evropian para zgjedhjeve për atë institucion.