UBT News

Ferizaj, vjedhje në vlerë të 20 mijë eurove, arrestohet një nga tre dyshuarit

Një person është arrestuar sot për grabitje në Ferizaj, derisa në kërkim janë edhe tre persona.

Policia ka informuar se katër persona me maska, nën kërcënimin e armëve kanë grabitur stoli ari dhe gjësende të tjera në vlerë të rreth 20 mijë eurove.

“Sot, në ora 02:20 patrulla e policisë e stacionit në Ferizaj gjatë patrullimit në fshatin Bibaj të Ferizajt, sipas planit operativ ‘’Shtimi i masave të sigurisë’’ ka hasur në qytetarin mashkull,kosovar i moshës 61 vjeçar, i cili e ka informuar patrullën e policisë se persona të maskuar ishin duke vjedhur/grabitur në shtëpinë e tij. Patrulla e policisë menjëherë është nisur në drejtim të shtëpisë dhe më pas në përforcim të tyre janë nisur edhe njësitet tjera. Me të arritur tek shtëpia kanë vërejtuar se të dyshuarit ishin brenda shtëpisë dhe në përpjekje për ti kapur në flagrancë të dyshuarit kanë kërcyer nga kati i dytë, duke u larguar nga oborri në fushë të hapur në drejtime të ndryshme. Pas ndjekjes së tyre policia ka arritur që të ndalojë njërin të dyshuar dhe më pas ta arrestojë, i cili duke rezistuar kishte sulmuar zyrtarët policor. Si dëshmi tek i dyshuari janë gjetur : stoli ari, një mjet i mprehtë ( thikë) dhe një bateri ndriçuese, ndërsa tre të tjerë janë larguar në drejtim të panjohur. Policët hetues dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet. Nga hetimet e para është mësuar se katër persona me maska kishin depërtuar me forcë brenda në shtëpi dhe sipas viktimës femër, kosovare e moshës 34 vjeçare, e cila ishte në gjumë me katër fëmijët e saj, posa kishte dëgjuar zhurmën arrinë përmes telefonit që ta njoftojë vjehrrin e saj, e që më pas ai njofton policinë, ndësra viktima has të maskuarit, të cilët ishin me armë zjarri( pistoleta) në dorë. Të dyshuarit në prezencë të saj dhe fëmijëve, nën kërcënimin e armëve kanë grabitur stoli ari dhe gjësende të tjera në vlerë rreth 20 mijë eurove”, ka informuar Policia.

I arrestuari në flagrancë është I.R, mashkull/shqiptar, shtetas i Serbisë, i moshës 48-vjeçare, i cili është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj për procedura të intervistimit, verifikimit dhe hetimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa, në kërkim policor mbeten të dyshuarit tjerë të kësaj ngjarjeje.

Exit mobile version