Në Ferizaj është organizuar një aksion humanitar për dhurim vullnetar të gjakut, në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aksioni është organizuar nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”, në bashkëpunim me kryetarin e OVL-UÇK-së në Ferizaj, Afrim Mehmeti, veteranë të luftës, anëtarë të shoqatës dhe Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.
Sipas Ilir Mezelxhiut, aktiviteti është zhvilluar në shenjë solidariteti, respekti dhe miqësie me popullin amerikan, duke nderuar kujtimin e personave që humbën jetën në sulmet e 11 Shtatorit.
“Përmes këtij gjesti humanitar, dëshirojmë të përcjellim mesazhin se dhimbja na bashkon, solidariteti na forcon dhe miqësia ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit amerikan mbetet e përjetshme”, ka thënë Mezelxhiu.
Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka përcjellë mesazhin: “Kosova dhe Amerika – miqësi dhe solidaritet përjetë.”/A.K/
