UBT News

Ferizaj, arrestohet 22-vjeçari që kërkohej për lëndim të rëndë trupor

Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj personin e tretë, të dyshuar për lëndim të rëndë trupor të një 25-vjeçari më 30 korrik të këtij viti.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se personi i tretë i arrestuar është një 22-vjeçar me inicialet I. R.

Bëhet e ditur se arrestimi i tij ka ndodhur rreth orës 12:10.

“Policia e stacionit në Ferizaj me datën 30.07.2023, rreth orës 22:45 kishte pranuar një informacion se në fshatin Manastirc të Ferizajt ishte një rast i lëndimit trupor. Policët e rendit e më pas hetuesit e stacionit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet. Nga hetimet e para është mësuar se, tre persona pas një mosmarrësveshje i shkaktojnë lëndime trupore personit M.SH ( M/K) i moshës 25 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Policia fillimisht kishte arrestuar të dyshuarin E.R ( M/K) i moshës 17-vjeçare, i cili pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ishte dërguar në mbajte për 24 orë, ndërsa dy ditë me vonë policia kishte arrestuar personin e dytë D.R ( M/K ) i moshës 16-vjeçare, i cili pas intervistimit nga hetuesit policorë është liruar për procedurë të rregullt hetimore.

Ndërsa i arrestuari i sotëm është shoqëruar në stacionin e Policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Exit mobile version