Në mesin e tyre katër teknikë të pylltarisë, katër rojtarë të pyjeve si dhe katër qytetarë nga komuna e Ferizajt.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në muajin tetor 2020, nga një sinjalizues i Institucionit të Komunës së Ferizajt, ka pranuar informacione se është duke u kryer vepra penale e “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 si dhe “Marrja e ryshfetit “ nga neni 421 dhe “Dhënia e Ryshfetit” nga neni 422 nga zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në komunën e Ferizajt.
Ndërsa, pas vlerësimit të këtij informacioni, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, së bashku me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike ne Prishtinë dhe Njësinë e Krimeve Ekonomike në Ferizaj, Prokuroria ka konsideruar se duhet te aplikohen masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit.
Pas aplikimit të këtyre masave disamujore, sot janë arrestuar 12 persona të dyshuar, në mesin e tyre katër teknikë të pylltarisë, katër rojtarë të pyjeve si dhe katër qytetarë nga komuna e Ferizajt, ndaj të cilëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Kompetente në Ferizaj.