Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se të hënën, më 23 janar, do të protestojnë para qeverisë kundër deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj politikanit serb, Oliver Ivanoviq, të cilën e quajtën provokim dhe tentim për të amnistuar kriminelin e luftës.
Berat Rexhepi, në emër të këshillit organizativ të protestës, ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin për fjalimin që ka bërë ndaj Oliver Ivanoviqin, derisa tha se motoja e protestës është “Kryeministër, mos na shkel në gjak. Stop, devijimit të historisë”.
“Fjalimi i kryeministrit të Kosovës dhe oligjeja e tij për Oliver Ivanoviqin, i dënuar për krime ndaj popullsisë shqiptare, ishte një tronditje e radhës dhe një fyerje e rënd publike për të gjithë ne, prandaj të indinjuar thellë me veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe tentimin e tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatorin dhe kryerësin e vrasjes së shqiptarëve-civilëve, ideatorin dhe organizatorin e rojeve të urës Oliver Ivanoviq, ne fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thërrasim protestë paqësore me moton “kryeministër mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë”, tha ai, duke shtuar se protesta do të mbahet të hënën para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa nisja bëhet nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00.
Ai shtoi se përmes kësaj proteste duan të tregojnë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit politik, pa përjashtim pozitë apo opozitë.
“Në këtë protestë ftojmë të marrim pjesë të gjithë qytetarët pa asnjë dallim të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është një bashkëngjitje në faj. Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit tonë politikë, pa përjashtim pozitë apo opozitë, për më shumë kujdes dhe maturi, përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Baballarët tonë kanë luftuar në borë e në shi, atëherë ne e kemi obligim për kundër motit të vështirë të mbrojmë të drejtën dhe të vërtetën”, tha ai.
Edhe Tefik Sejdiu nga Mitrovica, i cili tha se ka të vrarë tre anëtarë të familjes nga Oliver Ivanoviqi, bëri thirrje nga të gjithë për t’iu bashkuar protestës që do të mbahet më 23 janar.
“Më 14 prill të vitit 1999, Oliver Ivanoviq, krimineli më i madhi në rajonin e Mitrovicës i ka vrarë tre anëtarë të familjes time dhe 28 shqiptarë tjerë, ku i ka vrarë e masakru, dhe Albin Kurti ta quajë hero, është marre për të. I lus gjithë shqiptarët kudo që janë që të hënën në protestë të vinë një numër sa më i madh”, tha Sejdiu.
Sipas organizatorëve, përgjatë 23 viteve të pasluftës, në emër të popullit janë bërë dhe po bëhen veprime dashakeqe, deklarata të pamatura dhe veprime të rrezikshme nga përfaqësuesit tonë politik, pasi në emër të popullit po ofendohet populli dhe sakrifica e tij për liri.