UBT News

Fëmija yt bën shumë pyetje? Ja si ta menaxhosh situatën

Kur fëmija yt fillon të të bombardojë me pyetje të panumërta që nisin me “pse”, mos u shqetëso! Kjo gjë ju ndodhë shumicës së prindërve të ditëve të sotme dhe është një fazë normale dhe e rëndësishme në zhvillimin e tij, por ndonjëherë mund të të bëjë të ndihesh i/e mbingarkuar.

Në vazhdim do të zbulojmë disa truke që do të të ndihmojnë ta përballosh këtë periudhë pa humbur durimin.

Përgjigju thjesht dhe qartë – Kur fëmija të pyet: “Pse qielli është blu?” ose “Pse njerëzit flenë?”, është e rëndësishme që përgjigjet të jenë sa më të kuptueshme. Fëmijët kanë nevojë për sqarime të thjeshta, pasi konceptet e ndërlikuara mund t’i ngatërrojnë. P.sh në vend të një përgjigje shkencore të detajuar për qiellin e kaltër, mund t’i thuash: “Qielli duket blu për shkak të dritës së diellit.”

Bëje bisedën argëtuese – Një mënyrë tjetër për ta kaluar më lehtë këtë fazë është duke e bërë procesin argëtues dhe ndërveprues. Përgjigju me pyetje tjera si: “Çfarë mendon ti për këtë?”. Kjo mënyrë e bën fëmijën të ndihet më i përfshirë dhe ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik.

Dëgjo me vëmendje – Ki parasysh se shumë nga këto “pse” janë të lidhura me kureshtjen e natyrshme. Duke dëgjuar me vëmendje, jo vetëm që ndihmon fëmijën të mësojë më shumë, por i jep atij një ndjenjë sigurie dhe vlerësimi. Në këtë mënyrë, ai ndjen se bota e tij e brendshme është e rëndësishme për ty.

Mos ki frikë të thuash “nuk e di” – Jo gjithmonë ke përgjigje të gatshme, kjo është në rregull. S’ke pse t’i dish të gjitha! Nëse të pyet diçka që nuk e di, mund të thuash: “Nuk e di, të kërkojmë përgjigjen.” Kjo i mëson fëmijës se të mësuarit është proces i vazhdueshëm e të kërkosh informacione është pjesë e rritjes.

Jep përgjigje krijuese – Faza e “pse-ve” është mundësi e shkëlqyer për të përdorur imagjinatën. Nëse fëmija të pyet: “Pse bie shi?”, në vend që t’i japësh një përgjigje teknike, mund ta kthesh në një tregim: “Shiu është si peshkatar që hedh rrjetën nga retë për të kapur pika uji.” Krijo një histori të shkurtër që jo vetëm i përgjigjet pyetjes, por edhe e bën më argëtuese.

Shpjegoja ngadalë konceptet më të ndërlikuara – Jo çdo përgjigje ka shpjegim të thjeshtë. Për disa pyetje më të ndërlikuara, si: “Pse njerëzit sëmuren?” apo: “Pse s’mund të fluturojmë?”, është e rëndësishme të fillosh me përgjigje bazë e ta thellosh kur fëmija rritet.

Kujto se është një fazë kalimtare – Mos harro: Faza e “pse-ve” është një fazë kalimtare. Ajo tregon që fëmija yt po zhvillohet dhe po zbulon dalëngadalë botën që e rrethon. Sado e lodhshme të duket, pyetjet e tij janë një shenjë që ai po mendon dhe mëson gjithnjë e më shumë, citon Anabel.

Pra, herën tjetër kur fëmija të të pyesë “pse?”, mos u streso! Me këto truke, do kalosh këtë fazë dhe do ndihesh krenar/e që po e ndihmon fëmijën të eksplorojë botën përmes kureshtjes. /UBT News/

Exit mobile version