79 orë pasi tërmetet e fuqishme goditën Turqinë jugore, sot ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë një fëmijë dyvjeçar nga rrënojat e ndërtesës së shembur.
Fëmija Mert Tatar, që u shpëtua nga mbeturinat e tërmetit në provincën Hatay, u dërgua në spital pas ndihmës së parë në vendngjarje.
Agjencia turke për menaxhimin e fatkeqësive, AFAD njoftoi se 12 mijë e 391 njerëz u vranë dhe 62 mijë e 914 të tjerë u plagosën në tërmetet e së hënës me qendër në provincën Kahramanmaras.
Provinca të tjera në Turqinë jugore dhe lindore që u prekën nga tërmetet janë Gaziantep, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.
Më shumë se 6 mijë ndërtesa u shembën për shkak të tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që ndodhën në më pak se dhjetë orë.