Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Teodor Teodoridis, pas skenave në ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë (2:2).
Federata e Futbollit të Serbisë ka kërkuar të sanksionohen dy federatat, ato të Shqipërisë dhe të Kroacisë.
Po ashtu, Federata e Futbollit serb është ankuar zyrtarisht edhe për rastin e Mirlind Dakut, i cili në përfundim të sfidës ka marrë megafonin e tifozëve dhe ka brohoritur kundër maqedonëve dhe serbëve.
“Federata e Futbollit të Serbisë ju drejtohet në lidhje me ngjarjet në ndeshjen e djeshme të turneut final EURO 2024 ndërmjet ekipeve kombëtare të Kroacisë dhe Shqipërisë (Faza e grupit, Grupi B, Hamburg, 19.06.2024), kur pati një thirrje të përbashkët të turpshme nga tifozët e të dyja kombëtareve, e cila drejtohej kundër kombit serb në tërësi”, thuhet në reagim.
“Siç me siguri jeni të informuar, nga 58 minuta e 28 sekonda në 58 minuta e 50 sekonda, tifozët kroatë dhe shqiptarë kanë thirrur së bashku ‘Vrite, vrite Serbin’. Në fjalë nuk bëheshin individë nga radhët e tifozëve, por një numër i madh i tifozëve të këtyre kombëtareve, gjë që në atë moment nuk ishte sanksionuar sipas rregullores së UEFA-s, e cila është e qartë, si dhe veprimet e zyrtarëve në ato situata”, tha Federata e Futbollit të Serbisë.
“Sipas informacioneve që kemi, një lojtar i skuadrës shqiptare, pas përfundimit të lojës, përballë tribunës me tifozët shqiptarë, ka përdorur megafonin për të brohoritur të njëjtat thirrje dhe në këtë mënyrë duke ndezur ‘flakë’ turmën”, vazhdon reagimi.
Federata e Futbollit të Serbisë ka thënë se se në momentin kur ka nisur brohoritja e lartpërmendur nga tifozët e të dyja kombëtareve, loja është dashur të ndërpritet.
Federata e Futbollit të Serbisë i ka bërë thirrje UEFA-s që t’i ndëshkojë “sa më parë përgjegjësit e ngjarjeve të sipërpërmendura dhe të siguroheni që ndeshjet të luhen normalisht”.