Rusia dyshohet se ka nisur një operacion të gjerë për të manipuluar politikanë, biznesmenë, gazetarë dhe faktorë të tjerë të ndikueshëm në Europë, sipas një dosjeje të dorëzuar në një gjykatë amerikane nga FBI. Dokumentet e zbuluara tregojnë se qëllimi i fushatës së Kremlinit është të mbjellë përçarje, të diskreditojë Amerikën dhe të minojë mbështetjen për Ukrainën.
Të mërkurën, qeveria amerikane paditi dy shtetas rusë, drejtues të rrjetit publik rus RT, për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane. Ata akuzohen për pastrim parash dhe për organizimin e një skeme për të punësuar një kompani amerikane për të prodhuar përmbajtje online. FBI ka sekuestruar gjithashtu më shumë se 30 domene në internet që lidhen me këtë fushatë ndikimi.
Dosja prej 277 faqesh, e siguruar nga FBI, detajon planet ruse për të ndikuar në Europë përmes postimeve dhe komenteve në mediat sociale. Dokumenti rus përshkruan qëllimin e fushatës si prodhimin e reagimeve logjike dhe emocionale në publik, duke përdorur domene që imitojnë mediat perëndimore për të shpërndarë artikuj të rremë dhe përmbajtje të manipuluar.
Gjermania është identifikuar si një objektiv i veçanërisht i prekshëm nga manipulimet ruse, për shkak të varësisë së saj ekonomike nga gazi natyror dhe eksportet. Një dokument rus sugjeron se përpjekjet janë të përqendruara në diskreditimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe NATO-s, si dhe në bindjen e gjermanëve që të kundërshtojnë “politikën joefektive të sanksioneve”.
Një tjetër dokument përshkruan një operacion të quajtur ‘Nxitja e Konfliktit Ndërkombëtar’, i cili synon specifikisht Francën dhe Gjermaninë për të përshkallëzuar tensionet e brendshme dhe për të krijuar artificialisht situata konflikti përmes artikujve të rremë dhe influencuesve në mediat sociale.
Në përgjithësi, dokumentet sugjerojnë se fushata ruse është e dizajnuar për të destabilizuar situatën sociale në këto vende dhe për të përhapur narrativa të rreme që shërbejnë interesat e Federatës Ruse./UBTNews/