UBT News

FBI parandalon plan për sulm ndaj eventit UFC në Shtëpinë e Bardhë, arrestohen 5 persona

FBI ka thënë se ka parandaluar një plan për sulm ndaj një eventi të UFC-së që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë të dielën dhe ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në komplot.

Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, pjesë e planit dyshohej të ishin sulme me dronë të pajisur me eksplozivë ndaj ndërtesave përreth, si dhe sulme me armë ndaj “objektivave me vlerë të lartë”.

Një nga të dyshuarit është arrestuar në Ohio, ndërsa hetuesit kanë analizuar mesazhe të koduara që lidhen me grupin e dyshuar. Autoritetet thonë se të arrestuarit kishin shprehur ide ekstremiste dhe kundër qeverisë.

FBI deklaroi se plani u ndal “në kohë” dhe operacioni u zhvillua në disa shtete të SHBA-së. Të arrestuarit akuzohen për komplot për vrasje dhe rrezikojnë dënim deri në burgim të përjetshëm.

Sipas dokumenteve të gjykatës, grupi dyshohet se kishte diskutuar edhe skenarë për sulme ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë presidentin dhe figura të tjera publike.

Hetuesit thonë se komunikimet janë zhvilluar përmes platformave të enkriptuara si Signal dhe përmes rrjeteve sociale, ku grupi dyshohet se ka rekrutuar anëtarë të rinj.

FBI e cilësoi rastin si një “kërcënim serioz”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Burimi: BBC

/A.K/

Exit mobile version