Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetin e saj social X në lidhje me fazën e parë të marrëveshjes së paqes në Gaza.
Spiropali u shpreh se, ky hap shënon një zhvillim të rëndësishëm të rrallë dhe jetik, shkruan ATSH.
“Mirëpresim lindjen e shpresës në Gaza. Faza e parë e marrëveshjes së paqes, e bazuar në propozimin e Presidentit të SHBA, shënon një zhvillim të rëndësishëm të rrallë dhe jetik”, shkroi ministrja.
Spiropali gjithashtu përgëzoi diplomacinë e SHBA, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë.
“Përgëzojmë diplomacinë e palodhur të SHBA, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për drejtimin e këtij momenti drejt dritës”, theksoi ajo.
“Një hap më pranë lirimit të të pafajshmëve, heshtjes së armëve dhe hedhjes së rrënjëve të paqes. Çdo armëpushim fillon si një thirrje e njerëzimit”, u shpreh më tej Spiropali.
Izraeli dhe organizata militante palestineze “Hamas” kanë nisur zbatimin e hapave të parë drejt miratimit të një marrëveshjeje paqeje, njoftoi sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Media izraelite raportoi se Kabineti i Sigurisë do të mblidhej sot pasdite për t’u informuar mbi marrëveshjen e Gazës. Kjo thuhet se do të pasohej nga një takim i plotë qeveritar për të votuar mbi marrëveshjen./D.B/KP