Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar një ditë pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
“Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju, sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante, dhe që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt e kam kryer detyrën zyrtare,” ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.
Prokurori i rastit, Admir Shala, ka bërë me dije më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se nga Njësia e Veçantë e Hetimeve janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.