Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se ministri i ri i Shëndetësisë do të vendoset nga kryeministri Albin Kurti.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ai tha se të gjitha veprimet në lidhje me emërimin e ministrit të ri do të merren në konsulta me partnerët e koalicionit, përfshirë Listën Guxo.
“Se, kush do të jetë emri i ministrit të ri të Shëndetësisë, do ta vendosë kryeministri, tash më shumë që ne si partnerë të Qeverisë do të kemi pjesën e konsultave, por nuk mund flas se cili mund të jetë ministri i Shëndetësisë… Është çështje e kryeministrit dhe me siguri që do t’i bëjë të gjitha veprimet ose konsultat paraprake me akterët relevantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo dhe partnerët tjerë të koalicionit”, tha ai.
Ministri i Bujqësisë foli edhe për miratimin e Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili sipas tij do të mundësoj të plotësohen standardet e IPA dhe aspekte tjera që ndikojnë te bujqit.
“Ligji për Bujqësi i adreson kriteret dhe standardet që synojmë t’i plotësojmë deri në fund të mandatit, e të cilat janë standardet IPA, që janë mekanizmi i vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Realizimi i këtyre standardeve dhe krijimi i politikave programore në fushën e bujqësisë do t’i mundësojnë Kosovës të ketë qasje fillimisht akreditimin IPA dhe qasje në aplikimin e Fondeve IPA dhe jo vetëm të IPA-së, por edhe në proceset e mëtutjeshme edhe në procesin e negocimit të kapitullit 11-12-13. Me këtë ligj do të kemi mundësi shumë më të madhe të rritjes së përkrahjes së sektorit të bujqësisë dhe fermerëve do të kemi mundësinë e menaxhimit më të mirë dhe efikas të buxhetit të taksapaguesve të Kosovës. Në kuadër të masave që kemi ndërmarrë, buxheti për vitin 2022 do të jetë 70 milionë euro, ndërsa me aplikimet në fondet ndërkombëtare deri në fund të mandatit ta kemi 100 milionë euro”, tha ai.
Ndryshe, aktualisht Ministria e Shëndetësisë po udhëhiqet nga Dafina Gexha-Bunjaku, pasi Arben Vitia ka hyrë në garën zgjedhore për kryetar të Prishtinës.