Faton Bislimi, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe aktivist i kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka komentuar emërimin e Alexander Kasanof nga Departamenti Amerikan i Shtetit si zëvendës-ndihmës sekretar për Ballkanin Perëndimor.
Bislimi e vlerëson këtë emërim si një lajm të mirë për Kosovën dhe për tërë rajonin, duke shtuar se Kasanof vjen me një profil të njohur si një diplomat i angazhuar kundër ndikimit rus në rajon.
“Emërimi i zotit Kasanof në detyrën e ndihmës zëvendës sekretarit të shtetit për çështjet e Ballkanit Perëndimor është vazhdimësi e rotacioneve që ndodhin në Departamentin e Shtetit. Kjo është një seriozitet i shtuar që mos të lihet ajo pozitë vakante, që përbën një lajm të mirë në kuadër të interesimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht dialogut Kosovë-Serbi,” tha Bislimi në një intervistë për KosovaPress.
Ai gjithashtu nënvizoi se politika e jashtme amerikane ndaj Kosovës do të vazhdojë të mbetet e konsistentë, duke mos u ndryshuar nga ndryshimet individuale në administratën amerikane.
“Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është politik at-hoc, ajo nuk ndërron prej individit në individ. Përtej kësaj, politika e jashtme amerikane e ka për bazë interesin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” shtoi ai.
Bislimi gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë nga ana e qeverisë dhe klases politike në Kosovë me zotin Kasanof, në mënyrë që interesat dhe argumentet e Kosovës të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të mbrohen efektivisht nga Shtetet e Bashkuara.
Në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe detyrimet që duhet të përmbushë Kosova, Bislimi shprehu bindjen se mbështetja amerikane do të vazhdojë të jetë në vazhdimësi për implementimin e marrëveshjeve të arritura, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, ai theksoi se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në respekt të plotë për ligjin.
Në fund të intervistës, Bislimi diskutoi edhe rëndësinë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe theksoi nevojën për të ruajtur dhe sforcojmë marrëdhëniet me të gjitha spektrat politike në Shtetet e Bashkuara, për të siguruar mbështetjen e nevojshme për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Përmes këtyre deklaratave, Bislimi ka bërë thirrje për një unifikim të qartë të politikës së jashtme në Kosovë dhe për t’i ruajtur dhe përforcuar aleancat me partnerët ndërkombëtarë./UBTNews/