UBT News

Fatmir Sheholli deklarohet i pafajshëm për akuzat për spiunazh dhe shantazh

Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Pas leximit të aktakuzës, Sheholli është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk i pranon akuzat dhe se e ndjen veten të pafajshëm.

Mbrojtja, përmes avokatit Mentor Neziri, ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke kërkuar që rasti të kalojë sa më shpejt në shqyrtim gjyqësor.

Edhe Sheholli ka deklaruar se heq dorë nga këto të drejta. Gjykata ka bërë të ditur se rasti do të gjykohet nga një trup gjykues, ndërsa data e shqyrtimit gjyqësor do të caktohet pasi të përfundojnë procedurat për përbërjen e trupit.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi inteligjent serb BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

Ai akuzohet gjithashtu për shantazh ndaj një personi me inicialet A.J., të cilin, sipas aktakuzës, e ka detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në vlerë mbi 13 mijë euro.

Në seancë ishte i pranishëm edhe Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit./A.K/

Exit mobile version