UBT News

Faqet e internetit të qeverisë finlandeze goditen nga sulme kibernetike gjatë fjalimit të Zelenskyt

Qeveria e Finlandës thotë se uebsajtet e saj ishin në shënjestër të një sulmi kibernetik gjatë një fjalimi në parlament nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Faqet zyrtare të ministrive të jashtme dhe të mbrojtjes finlandeze ranë për pak kohë të premten pasdite.

Ministria e Jashtme konfirmoi më vonë në një deklaratë se ishte goditur nga një “sulm i mohimit të shërbimit” (DDOS).

Faqja e internetit u prek fillimisht rreth orës 12:00, por shpejt u “rikthye në normalitet” brenda një ore, shtoi ministria.

Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë masa për të kufizuar sulmin në bashkëpunim me ofruesit e shërbimeve dhe Qendrën e Sigurisë Kibernetike.

Helsinki nuk tha se kush ishte pas sulmit dhe as nuk dha detaje të mëtejshme.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i Ukrainës përsëriti thirrjen e tij për sanksione “të fuqishme” kundër Rusisë pas pushtimit të 24 shkurtit./UBTNews/

Exit mobile version