Vetëm disa javë më vonë, vëmendja globale do të zhvendoset në Kupën e Botës më të madhe në histori, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me 48 ekipe dhe 104 ndeshje. Edhe aty, nostalgjia do të jetë e pranishme: Adidas ka prezantuar fanella të reja me frymë estetike të viteve ’90, të kombinuara me dizajn modern dhe me rikthimin e logos ikonike “trefoil”, për herë të parë pas më shumë se tri dekadash.
Sipas analizës së zhvillimeve në kulturën e futbollit, fanella nuk është më thjesht uniformë sportive. Ajo është shndërruar në objekt kulturor, modë dhe kujtim kolektiv. Dizajnet e viteve ’90, dikur të diskutueshme, sot konsiderohen ikonike dhe të kërkuara në tregjet globale të fanellave vintage.
Ekspertët theksojnë se fanellat e futbollit filluan të bëhen pjesë e kulturës së përditshme sidomos në vitet ’70, por shpërthimi i tyre estetik dhe kulturor ndodhi në vitet ’90, kur teknologjia e re e prodhimit lejoi dizajne më të guximshme dhe më grafike. Fanella u shndërrua në “kanavacë lëvizëse” të identitetit të klubeve dhe kombëtareve.Kujtimet sportive dhe emocionale kanë luajtur rol të madh në këtë fenomen. Fanellat e Kupës së Botës 1990 apo Euro 1996 janë bërë simbole të forta nostalgjie, të lidhura me momente historike të futbollit dhe kulturës pop, duke u kthyer në objekte koleksionimi me vlera të larta.
Gjatë dy dekadave të fundit, tregu i fanellave retro është profesionalizuar dhe globalizuar, duke u kthyer nga një rrjet i vogël koleksionistësh në industri të mirëfilltë. Ndërkohë, ndikimi i modës dhe i kulturës së të famshmëve ka bërë që fanellat vintage të kthehen në deklarata stilistike në rrugë, rrjete sociale dhe evente publike.Sipas studiuesve të kulturës, kjo valë nostalgjie nuk lidhet vetëm me të kaluarën, por edhe me mënyrën si brezat e rinj e përjetojnë historinë përmes internetit dhe përmbajtjeve digjitale. Futbolli, ashtu si filmat apo moda, po përjeton një cikël të vazhdueshëm rikthimi dhe ripërpunimi të së shkuarës.
Në prag të Kupës së Botës, mes fanellave të reja dhe atyre të rikthyera nga arkivat, futbolli po hyn në një epokë ku e kaluara dhe e ardhmja bashkëjetojnë në të njëjtën fushë. Fanella nuk është më thjesht uniformë: ajo është kujtim, identitet dhe kulturë që vazhdon të riciklohet brez pas brezi.
