Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ka ndërmarrë veprime ligjore për të zbatuar fletëthirrjet e lëshuara për Donald Trump dhe të birin, Donald Trump Jr. dhe vajzën Ivanka Trump.
Të martën vonë, prokurorja James njoftoi në një deklaratë për shtyp se ajo po ndërmerr veprime ligjore për të detyruar treshen të paraqitet për dëshmi, si pjesë e hetimit të zyrës së saj mbi marrëveshjet financiare të Organizatës Trump.
Ajo shtoi se hetimi ka zbuluar “prova të rëndësishme” që sugjerojnë se ish-presidenti Trump dhe Organizata Trump “në mënyrë të rreme dhe mashtruese” vlerësuan asetet e tyre dhe i keqinterpretuan ato për të marrë përfitime ekonomike si kredi, mbulime sigurimesh dhe zbritje tatimore.
Në përgjigje të çështjes, Eric Trump, një nga djemtë e presidentit dhe nënkryetari ekzekutiv i Organizatës Trump, pretendoi pa bazë se hetimi është “jokushtetues” në një intervistë me prezantuesin e Fox News, Sean Hannity./UBTNews/