Mbreti Philippe dhe mbretëresha Mathilde e Belgjikës kanë vendosur t’i strehojnë refugjatët ukrainas. Lajmin e konfirmuan nga Pallati Mbretëror i Belgjikës për BBC se dy shtëpi do të jenë në dispozicion për tri familje ukrainase.
Njëra nga shtëpitë është në Bruksel, kurse tjetra në rajonin jugor të Valonisë. Një zëdhënës i Pallatit Mbretëror i tha BBC-së se Mbreti Philippe u prek nga dëshmitë që ka dëgjuar kur u takua me ukrainasit, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa vizitoi një qendër regjistrimi në Bruksel të mërkurën. Vendimi për t’i strehuar ata erdhi menjëherë pas vizitës.
Kjo s’është hera e parë që familja mbretërore e Belgjikës solidarizohet me njerëzit në nevojë. Verën e kaluar, ata që humbën shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve u ftuan të qëndrojnë në këto shtëpi.
Deri më tani 10 mijë refugjatë ukrainas janë regjistruar në Belgjikë dhe u është dhënë mbrojtje e përkohshme ndërkombëtare dhe një status që u lejon atyre të jetojnë dhe punojnë në Belgjikë për një vit.
Autoritetet belge vlerësojnë se 200 mijë ukrainas do të mbërrijnë në Belgjikë javët e ardhshme./UBTNews/