UBT News

Familja e Mahsa Aminit kërcënohet me vdekje

Familja e Mahsa Aminit, 22-vjeçares kurde vdekja e së cilës në paraburgim policor tri javë më parë shkaktoi protesta në të gjithë Iranin, thotë se është kërcënuar me vdekje dhe se janë paralajmëruar të mos përfshihen në protesta.

Mahsa u bë një simbol i shtypjes iraniane pas arrestimit të saj nga policia e moralit për veshjen e pahijshme të hixhabit. Fytyra dhe historia e saj tashmë janë të njohura në mbarë botën.

“Familja jonë ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm nga zyrtarët e Republikës Islamike, kështu që ne nuk flasim me organizata apo kanale të të drejtave të njeriut jashtë Iranit dhe nuk informojmë askënd nga bota e jashtme për vdekjen e saj”, deklaroi kushëriri i saj, Erfan Mortezai për BBC.

Erfani është një luftëtar Peshmerga për Komala, një parti opozitare kurde iraniane në mërgim me bazë në Irak. Prej vitesh, shumë kohë para vdekjes së saj, ai është përpjekur të rrëzojë Republikën Islamike. Qeveria iraniane ua lë fajin për trazirat e fundit ndikimeve të tille të jashtme.

Ai thotë se kërcënimet që kanë marrë familjarët e tij e kanë vënë në dyshim sigurinë e tyre.

“Ata janë nën torturat e Republikës Islamike. Zyrtarët e regjimit na kanë kërcënuar përmes Instagramit me llogari të rreme dhe u kanë thënë familjarëve në Iran se nëse përfshihen në protesta, mund të vriten”, deklaroi ai.

“Edhe vetë kam marrë shumë kërcënime përmes telefonit, duke thënë se nëse më shohin në qytet, do të më rrëmbejnë dhe do të më vrasin”, shtoi ai tutje./UBTNews/

Exit mobile version