Pas identifikimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, familja e Bedrit Rexhepit është njoftuar se mund të tërheqin trupin e pajetë të biznesmenit. Prokuroria sot ngriti aktakuzë ndaj Jeton e Nexhat Vllasaliut si të dyshuar kryesorë për vrasjen e Bedri Rexhepit.
Familja Rexhepi thotë se presin që drejtësia të vihet në vend dhe të dyshuarit të cilëve iu është ngritur aktakuza të marrin dënimin e merituar.
“Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi reshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij vetëm se kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminale e Jeton dhe Nexhat Vllasaliut të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e tyre.
Familja Rexhepi thotë se Bedriu ishte rënë pre e një mashtrimit me qëllim të grabitjes dhe sipas tyre, i erdhi nga një familje të cilës i kishte ndihmuar.
“Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qëllim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar. Ne si familje, lutemi që rasti i Bedriut të jetë i fundit ku në pabesi shuhet jeta e një të riu”, vijon reagimi.
Familja Rexhepi ka falënderuar të gjitha institucionet e sigurisë si AKI-në, Policinë e Kosovës dhe prokurorin e rastit Armend Hamiti “për mundin, punën e madhe që kanë kryer dhe faktin që nuk ndaluan së qëndruari në krye të detyrës, deri në zbardhjen e rastit për fatin e Bedriut tonë”.
Familja ka falënderuar edhe mediat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetjen në këtë kohë të vështirë për ta.
Po ashtu, është njoftuar se varrimi i të ndjerit Bedri Rexhepi do të bëhet të enjten në ora 13:00 në Shtime.
Paraditen e sotme Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”. Prokurori i rastit, Armend Hamiti theksoi se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.