Tre persona janë arrestuar në Tiranë për tri vepra penale: “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”.
Policia e Shtetit sot ka bërë të ditur se të arrestuarit janë: G. Xh., 64 vjeç, A. B., 59 vjeç dhe Sh. B., 59 vjeç, të tre banues në Tiranë.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimeve monetare, falsifikonin diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme. Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në përdorim nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, skanera, usb, njësi kompjuterike, printera, karta identiteti, diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme, të falsifikuara”, ka informuar Policia.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.