Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurit B.M., për shkak të veprës penale Falsifikim i dokumentit.
Sipas njoftimit, gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.M. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Të pandehurit B.M. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1, pika 1.1, 1.2, 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPPRK-së. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar, bindëse dhe mjaftueshëm e argumentuar për këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.