Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë ka ndaluar një person nën dyshimin për prodhim të parasë së falsifikuar. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar pas një pune operative hetimore.
Me urdhër të prokurorit, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar materiale të ndryshme që shërbenin për prodhimin e kartëmonedhave false. Në mesin e provave të konfiskuara janë: 135 fletë formati A4 me fotokopje të kartëmonedhave të ndryshme, një xham me holograme të prera, një skalper dhe vizore, katër ngjitës, shirit izolues, një printer, një telefon dhe një shumë parash në vlerë prej rreth 4,796 euro.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.