Në Xhaminë e madhe në Prishtinë është bërë falja e namazit të Kurban Bajramit.
Mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ku tha se Festa e Kurban Bajramit është një ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.
Tërnava në mesazhin drejtuar besimtarëve shtoi se kjo festë na bënë bashkë të gjithëve. Sipas tij, këtë festë e karakterizojnë haxhi e prerja e kurbanit, rituale këto që e afrojnë besimtarin me Zotin.
Myftiu Tërnava ka shprehur shqetësimin e tij edhe për shtimin e dhunës në familje si dhe për rritjen e numrit të divorceve e rënien e lindjeve.
Myftiu foli edhe për gjendjen e sigurisë, duke kërkuar shtensionim të situatës. Ai ka kërkuar që Qeveria e institucionet ndërkombëtare të punojnë në këtë drejtim.
“Të nderuar vellezer dhe motra kjo festë është edhe shoqërore ndaj përkushtimi për shoqërinë është obligim i fesë islame ashtuqë askush të mos ndihet i privuar nga të mirat materiale, prandaj të qëndrojmë të solidarizuar dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Veprat e këqija janë ato që e cënojnë fenë islame, dhuna e çdo lloji, tradhëtia bashkëshortore, bixhozi, alkooli, të gjitha këto janë pothuajse të njëjta”, deklaroi ai.
Edhe qytetarët patën me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.