Në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes, Musliu tha se siguria në vend për këtë vit ka qenë sfiduese si për institucionet ashtu edhe për qytetarët. Porse, siç tha ajo, falë punës profesionale të AKI-së është arritur që t’iu jepet epilog rasteve që cenuan sigurinë kombëtare.
“Konstatuam se ka qenë një vit i vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues për qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi e me theks të veçantë për institucionet e sigurisë në vend. Gjatë këtij viti, Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste te organizuara nga aparatura shtetërore serbe. Në nivelin e sigurisë kombëtare rasti i Banjskës është një nga rastet e nivelit më të lartë të rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës dhe ky rast ende vazhdon në mënyra të veta të paraqesë rrezik për vendin tonë”, tha ajo.
Por, krahas sigurisë kombëtare deputetja Musliu tha se institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente edhe për çështje të tjera.
“Si institucione të sigurisë nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lëmë pa vëmendje edhe kërcënimet e tjera të sigurisë siç janë prezenca e madhe e lëndëve narkotike dhe shpërndarja tek grupmoshat e reja në theks të veçantë ose me fokus tek nxënësit dhe shkolla. Futja nga jashtë e Kosovës e monedhës dy euro false po ashtu në tregun financiar ekonomik po ashtu ka dëmtuar rëndë qytetarët e Republikës së Kosovës ka shkaktuar probleme financiar ne ekonomi edhe ashtu të varfër të Kosovës. Numri në rritje i rasteve të rrëmbimeve dhe plaçkitjeve mbete po ashtu faktorë shqetësues i brendshëm i Kosovës dhe për institucionet e sigurisë. Falë angazhimit dhe punës të pandalshme profesionale të AKI-së, tashmë në Kosovë në mënyrë profesionale dhe të shpejtë ju është dhënë epilog natyrë së rasteve që cenuan sigurinë kombëtare në muajt e fundit”, ka thënë Musliu.
Po ashtu, Musliu potencoi se AKI-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për garantimin e sigurisë kombëtare.
“AKI vazhdon të jetë e përkushtuar në garantimin e sigurisë kombëtare, ndërsa komisioni parlamentar në kuadër të mandatit ligjor i ka ofruar vazhdimisht mbështetje dhe do të vazhdojë të ofrojë edhe në të ardhmen mbështetjen e duhur për realizmin e objektivave që ka në fushëveprimin institucional AKI-ja. Në fund të gjithë kësaj, mund të konstatoj se gjendja e sigurisë kombëtare vazhdon të jetë e ndjeshme, dhe ashtu siç kam kërkuar në paraqitjet e mia edhe sot kërkoj si kryetare e komisionit parlamentar, kërkoj nga qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të vëmendshëm ndaj çdo provokimi, ndaj çdo dyshimi të mundshëm dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës në përgjithësi. Vetëm kur bashkëpunojnë qytetarët e Republikës së Kosovës me institucionet e sigurisë dhe personat përgjegjës për siguri mund të ndihmojmë shtetin dhe të evitojmë problemet që u ballafaquam vitin që lamë pas”, tha Musliu.