UBT News

Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi në ditën botërore të lirisë së shtypit

3 maji njihet si dita botërore të lirisë së shtypit, ditë kjo shënohet që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Me këtë rast fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi me profesorë dhe panelistë, në të cilën folën për lirinë e medias në Kosovë.

Mirëpo mëngjesin e së premtes në indeksin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” për Kosovën nuk erdhën lajme të mirë. Vendi ynë shënoi rënie të lirisë së shtypit për 19 vende. Andaj Dekani i Fakultetit, Ferid Selimi, komentoi këtë rënie të lirisë së shtypit.

“Përderisa para dy, tre vitesh ne jemi lavdëruar se po ecim para me lirinë e shtypit, prapë këtë vit kemi një ngecje, një rënie të lirisë së shtypit, ajo ndoshta ndodh gjithkund, por ne si vend i vogël, një vend që gjithmonë ka luftuar për liri dhe pavarësi, shihet dhe merret si me një kompetencë, me një përgjegjësi më të madhe. A thua po bëjmë ne sa duhet për mediat në përgjithësi sepse kur bëjmë për media bëjmë për njerëzit”, deklaroi ai.

Profesori në Media dhe Komunikim, Votim Hanolli, duke folur për indeksin e Reportërëve pa Kufij, shtoi se rënia e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit ka ardhur si pasojë e disa faktorëve.

“Sipas analistëve qe janë marrë me ketë indeks, kjo rënie duhet të parë në kontekstin e tensioneve në Mitrovicë, ku gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre, të cilat kanë qenë të shumta. Ndërkohë që partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur, ka pasur gjithashtu një lloj përndjekje administrative ndaj stacionit privat televiziv KlanKosova, nga ana tjetër zgjedhja e Drejtorit të RTK-së që ishte e lidhur me kampin qeveritar…… konsiderohen rreziqet e shoqërisë dhe rreziqet politike”, deklaroi ai.

Në raportin për Kosovën, po ashtu thuhet se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike. Për këtë profesori Safet Zenjullahu tha se gazetarët e mirëfilltë nuk duhet të bazohen në atë se çfarë kërkon pushteti, por në atë që i nevojitet publikut.

“Ajo çfarë kërkon pushteti kurrë nuk është gazetari profesionale, pushteti kërkon lavd ndërsa publiku i mirëfilltë kërkon informacion të duhur, të palulëzuar, e kërkon informacionin të pastër ashtu siç është. Në këto kërkesa nuk qëndrojnë gazetarët, qëndrojnë pronarët”, deklaroi Zejnullahu.

Pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Gjylie Rexha. Ajo kërkoi që të diskutohet më shumë për përgjegjesinë.

“Në këtë ditë le të merrim edhe me përgjegjësinë, jo vetëm me lirinë e cila na takon dhe sa më shumë të jemi të përgjegjshëm se si e zbatojmë lirinë që na takon si e drejtë elementare, aq më mirë do të mund ta bëjmë edhe gazetarinë dhe profesionin dhe mbi të gjitha më shumë të realizojmë vetën tonë si profesionistë në këtë detyrë shoqërore”, deklaroi Rexha.

Ndërkohë profesori Musa Sabedini, që njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara shprehu shqetësimin që shumica e këtyre mediave nuk janë anëtare të këtij Këshilli vetërregullues.

“Janë 500 e disa portale në Kosovë që funksionojnë ose të paktën janë të regjistruara, sepse disa janë edhe efektive, prej tyre vetëm 71 janë anëtare të Këshillit. Të tjerët nuk pranojnë sepse kanë frikë me u monitoru, sepse vinë palët ankohen, bëjnë padi. Këshilli jep dënim moral nuk jep dënim me gjobë sepse nuk e ka atë mandat”, deklaroi ai.

Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, Kosova renditet e 75-ta nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të. Edhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar kthim prapa sa i përket lirisë së medias. Shqipëria ka rënë nga vendi i 96-të në atë të 99-të. Në Shqipëri, sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët përballen me presion politik, veçmas gjatë zgjedhjeve./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version