UBT News

Fakulteti i Gjuhës Angleze në UBT, model i edukimit të lidhur me praktikën profesionale

Në ambientet e Fakultetit të Gjuhës Angleze në UBT u zhvillua një ligjëratë tematike me rëndësi të veçantë për studentët e këtij programi, me temën “Rëndësia e përkthimit në tregun e punës”. Kjo ngjarje u organizua në kuadër të lëndës “Praktikat e përkthimit në institucionet private dhe publike”, e ligjëruar nga Prof. Rina Sefiu, dhe kishte për qëllim të ofronte një pasqyrë të qartë mbi rolin profesional të përkthyesit në botën bashkëkohore të punës.

“Lingua”, një ndër zyrat më të njohura të përkthimit në vend, përfaqësuar nga Anyla Zajmi dhe Flamur Latifi. Ata ndanë me studentët përvojat e tyre nga terreni profesional, duke sjellë raste konkrete dhe sfida të përditshme me të cilat përballen përkthyesit në institucione private dhe publike.

Studentët e programit të Gjuhës Angleze u angazhuan aktivisht në diskutime, duke ngritur pyetje të cilat preknin thelbin e profesionit të përkthyesit:

  • Si ruhet saktësia dhe kuptimi në variantet e ndryshme gjuhësore?
  • Si përkthehen idiomat dhe shprehjet kulturore që nuk kanë ekuivalent të drejtpërdrejtë?
  • Si trajtohet fjalori informal apo “slang”-u në përkthimet moderne?

Këto diskutime nxorën në pah jo vetëm aspektin teknik të përkthimit, por edhe rolin e përkthyesit si një ndërmjetësues kulturor, i cili duhet të kuptojë kontekste të gjera shoqërore dhe kulturore përtej njohurive gjuhësore.

Duke folur për rëndësinë e këtij bashkëpunimi, dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Alma Lama, theksoi:

UBT dhe Fakulteti i Gjuhës Angleze po dëshmojnë se arsimi modern nuk ndalet te teoria, por shtrihet në jetën reale përmes bashkëpunimeve me industrinë. Studentët po formohen për të qenë të gatshëm që nesër të përkthejnë botën – fjalë për fjalë”.

Ky aktivitet përbën një shembull konkret të përkushtimit të UBT-së për të ndërlidhur procesin akademik me praktikat e tregut të punës. Bashkëpunime të tilla i japin studentëve mundësinë që të zhvillojnë kompetenca profesionale, të kuptojnë realitetin e tregut dhe të ndërtojnë ura që i çojnë drejt një karriere të suksesshme.

Programi i Gjuhës Angleze në UBT vazhdon të afirmohet si një platformë e fuqishme akademike që ofron jo vetëm dije, por edhe aftësi praktike për përgatitjen e përkthyesve të ardhshëm, të cilët do të luajnë rol kyç në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur globalisht.

Exit mobile version