UBT News

Facebook-u paditet me 150 miliardë dollarë nga komuniteti Rohingya për gjuhë të urrejtjes

Dhjetëra refugjatë të komunitetit Rohingya në Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e paditën rrjetin social, Facebook, duke e akuzuar atë për lejimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes kundër tyre.

Ata po kërkojnë më shumë se 150 miliardë dollarë kompensim, nën pretendimet se platformat e Facebook kanë promovuar dhunën kundër tyre.

Rreth 10 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë gjatë një sulmi ushtarak në Myanmar me shumicë budiste në vitin 2017.

Platforma Facebook, tani e quajtur Meta, nuk iu përgjigj menjëherë akuzave. Kompania akuzohet se ka “lejuar përhapjen e përmbajtjeve urryese dhe dezinformatave për vite të tëra”.

Në Britani të Madhe, një firmë ligjore britanike i shkroi letër Facebook-ut, ku mes tjerash pretendohet se:

  • Algoritmet e Facebook-ut “përforcuan gjuhën e urrejtjes kundër popullit Rohingya”
  • Facebook “dështoi të investojë” në moderatorë dhe kontrollues faktesh që dinin për situatën politike në Mianmar
  • Kompania dështoi t’i fshinte postimet ose llogaritë që nxitën dhunë kundër komunitetit Rohingya
  • Facebook dështoi “të ndërrmerte veprime të duhura dhe me kohë”, pavarësisht paralajmërimeve nga organizatat dhe media.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, avokatët ngritën një ankesë ligjore kundër kompanisë Facebook në San Francisko, duke e akuzuar platformën se ishte “e gatshme të tregtonte jetën e popullit Rohingya për një depërtim më të mirë në treg në një vend të vogël në Azinë Juglindore”.

Facebook ka më shumë se 20 milionë përdorues në Mianmar. Për shumë prej tyre, mediat sociale janë mënyra e tyre e vetme për të marrë dhe ndarë lajmet./UBTNews

Exit mobile version