Facebook ka vendosur të reagojë ligjërisht ndaj përvetësimeve masive të të dhënave të përdoruesve. Sipas The Record, rrjeti social ka paditur ukrainasin Alexander Solonchenko për përvetësimin e të dhënave të mëse 178 milionë përdoruesve.
Solonchenko kishte shfrytëzuar një problem në funksionin e importimit të kontakteve dhe përmes një mjeti të automatizuar që ngjan me mjetet e importimit të Android kishte përvetësuar numra telefoni dhe informacione të tjera të miliona përdoruesve.
Kjo fushatë ishte realizuar gjatë periudhës janar 2018 – shtator 2019 ndërsa informacionet u shitën në tregun e zi në Dhjetor të 2020. Facebook e kishte gjurmuar Solonchenkon i cili kishte përdorur detajet e kontaktit të punës së tij gjatë regjistrimit në forum.
I njëjti individ kishte përvetësuar informacione edhe nga objektiva të tjerë tha Facebook, përfshirë një bankë të madhe në Ukrainë.
Në padinë e rrjetit social kërkohet dëmshpërblim dhe ndalim i Solonchenko të aksesojë Facebook. Gjithsesi ky nuk është incidenti më i madh i këtij lloji sepse në fillim të vitit haker të paidentifikuar kishin përvetësuar informacione të 533 milionë përdoruesve. /PCWorld Albanian