Pronari i Facebook-ut dhe Instagramit do t’i lejojë përdoruesit në disa vende të bëjnë thirrje për dhunë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe ushtarëve rusë.
Meta thotë se po lejon përkohësisht disa fjalime të dhunshme, si “vdekje ndaj pushtuesve rusë”, që zakonisht do të ishin kundër politikës së kompanisë. Sidoqoftë, nuk do të lejohen thirrjet për dhunë ndaj civilëve rusë.
Si kundërpërgjigje, Rusia i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndalë “aktivitetet ekstremiste” të gjigantit teknologjik. Njoftimi erdhi pasi agjencia e lajmeve Reuters raportoi se ka parë disa emaile të brendshme të kompanisë ku përshkruhej ndryshimi i politikës.
“Në dritën e pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës, ne bëmë një përjashtim të përkohshëm për ata që janë të prekur nga lufta, për të shprehur ndjenja të dhunshme ndaj forcave të armatosura pushtuese”, tha një zëdhënës i Meta për BBC.
Mediat e huaja raportojnë se ndryshimet e përkohshme të politikës për thirrjet për dhunë ndaj ushtarëve rusë zbatohen për Armeninë, Azerbajxhanin, Estoninë, Gjeorgjinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë, Rusinë, Sllovakinë dhe Ukrainën./UBTNews/