UBT News

Facebook fiton 9 miliardë dollarë pavarësisht skandaleve të fundit

Facebook ka treguar fitime më të mira se sa pritej për tremujorin e tretë, pas skandalit të dokumenteve të zbuluara, transmeton UBT News.

Gjigandi i mediave sociale fitoi 9 miliardë dollarë fitim në tre muajt deri në shtator, ndërsa kishte fituar 7.8 miliardë dollarë vitin e kaluar në të njejtën kohë.

Megjithatë, ai u godit nga një përditësim i ri i privatësisë në sistemin operativ iOS 14 të Apple, i cili e bëri më të vështirë për markat që të synojnë reklamat tek përdorues të veçantë.

Frances Haugen ka lëshuar një sasi të dokumenteve të brendshme për publikun, duke pretenduar se Facebook vendosi fitimet përpara sigurisë së përdoruesve.

Të hënën, shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerburg u tha investitorëve në një konferencë: “Ajo që po shohim është një përpjekje e koordinuar për të përdorur në mënyrë selektive dokumentet e rrjedhura për të paraqitur një pamje të rreme të kompanisë sonë”.

Facebook gjithashtu tha se përditësimi i privatësisë do të ketë një ndikim në biznesin e tij dixhital në tremujorin e fundit të vitit, por se do të përshtaten me ndryshimet.

Rrjeti më i madh i mediave sociale në botë tani është nën vëzhgim nga ligjvënësit dhe rregullatorët globalë, përfshirë nga Komisioni Federal i Tregtisë, i cili ka ngritur një padi duke pretenduar praktika antikonkurruese.

Dokumentet e sinjalizueses, të cilat u raportuan për herë të parë nga Wall Street Journal, vetëm sa e kanë intensifikuar atë presion.

Ato përfshijnë kërkime të brendshme rreth efekteve të Instagramit në shëndetin mendor të adoleshentëve; nëse platformat e Facebook-ut nxisin divizionin dhe trajtimi i trazirave të 6 janarit në Kapitol nga Facebook.

Në një seancë dëgjimore, zonja Haugen u tha deputetëve në Mbretërinë e Bashkuar se Facebook “padiskutim se po e përkeqëson urrejtjen”.

Deputetët po shqyrtojnë se çfarë rregullash të reja do të vendosin sipas projektligjit të planifikuar për sigurinë në internet./UBTNews/

Exit mobile version