Meta ka filluar të kalojë përdoruesit adoleshentë të Facebook dhe Messenger në llogari të reja, të dizajnuara posaçërisht për ta, me masa të shtuar sigurie dhe mundësi mbikëqyrjeje nga prindërit.
Kjo iniciativë vjen në një kohë kur kompania raporton se “qindra miliona” adoleshentë janë aktivë në Instagram, Facebook dhe Messenger.
Llogaritë e posaçme për adoleshentë u prezantuan në Instagram një vit më parë, ndërsa këtë vit ato u bënë të disponueshme për përdoruesit në SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi. Tani, Meta po i shtrin këto llogari në mbarë botën.
Të gjithë përdoruesit do të kalojnë automatikisht në këto llogari të reja, që janë bërë të detyrueshme për këtë grupmoshë. Për adoleshentët nga 13 deri në 15 vjeç, kërkohet leje prindërore për të ndryshuar cilësimet e sigurisë.
Meta përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përdoruesit që mund të japin të dhëna të pasakta për moshën e tyre. Llogaritë e reja ofrojnë funksione që lejojnë prindërit të monitorojnë aktivitetin e fëmijëve, duke përfshirë kontrollin e kohës së kaluar para ekranit dhe mbikëqyrjen e kontakteve të tyre.
Përveç kësaj, këto llogari kanë cilësime të forta privatësie dhe sigurie, për të kufizuar ndërveprimet midis adoleshentëve dhe të rriturve të panjohur.
Në të njëjtën kohë, Instagram po zgjerohet me një program për të ndihmuar shkollat fillore dhe të mesme në SHBA që të raportojnë më shpejt rastet e ngacmimit dhe sjelljeve problematike.
Ky program është implementuar fillimisht në bashkëpunim me një grup të përzgjedhur shkollash dhe tani çdo shkollë në SHBA mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e tij. Meta thotë se ka marrë komente pozitive nga institucionet pjesëmarrëse. /A.Z/UBT News/