Aleatët historikë të Shteteve të Bashkuara janë më skeptikët për presidentin e ardhshëm amerikan.
Sipas një sondazhi të kryer në 24 vende nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, BE dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes më të shqetësuarave nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke rënë në kontrast me pritjen pozitive në vende të tjera të botës.
“Çfarë kemi të përbashkët? Jemi të dy aleatë të Shteteve të Bashkuara, që varemi nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë tonë. Ndaj ky është një konstatim dramatik për një arsye të thjeshtë; ne përballemi me një botë me fuqi të mëdha transaksionale si Rusia, Kina, India, Brazili, apo Afrika e Jugut. Dhe a e dini çfarë? Me Trump, Amerika, për herë të parë që prej 1945-s do të bëhet sërish një fuqi e tillë. Prandaj dhe vende si Kina, Rusia, apo India janë të qeta për këtë, ndërsa ne jo”, deklaron Timothy Garton Ash, profesor historie, Universiteti i Oksfordit.
Për historianin, një nga sfidat kryesore për Evropën do të jetë të qenurit e unifikuar përballë presidentit të ardhshëm amerikan, por edhe në tërë arenën ndërkombëtare, për të qenë influente në vendimet gjeopolitike. Për më tepër, kur sipas sondazhit, shumë njerëz e shohin BE-në të barabartë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
“Ne parashtruam pyetjen nëse BE mund të negociojë si i barabartë me Amerikën dhe Kinën. Unë pres që shumica e vendeve të botës të jenë skeptike. Aktualisht, bota ka një këndvështrim pozitiv për Evropën, por jo për gjithçka. Ndaj, ne evropianët nuk kemi besim të mjaftueshëm tek fuqia jonë. Por, natyrisht, këtë fuqi ne mund ta forcojmë”, deklaron Garton Ash.
Sipas autorëve të raportit, këto dallime në perceptimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës tregojnë se Perëndimi nuk është më domosdoshmërisht një aktor gjeopolitik i unifikuar dhe koherent, por megjithatë është aleanca ushtarake ndërkombëtare më e fuqishme.