UBT News

Evropianët të hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Në përgjithësi evropianët janë të hapur për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, pavarësisht kostove dhe rreziqeve, megjithatë ata nuk e kanë shprehur të njëjtin disponim për zgjerimin e mundshëm të bllokut me anëtarësimin edhe të Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu thuhet në një sondazh që u publikua së fundmi.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi që bisedimet zyrtare rreth anëtarësimit të fillojnë me Ukrainën dhe Moldavinë. Krerët e qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së do ta diskutojnë këtë propozim në një samit që do të mbahet gjatë kësaj jave – edhe pse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u shpreh sërish kundër hapjes së negociatave me Kievin.

Zgjerimi është tashmë ndër çështjet më urgjente të BE-së qëkur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës. Në muajin nëntor, komisioni mirëpriti bisedimet e anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën – pasi Sarajeva të jetë gati – dhe rekomandoi që Gjeorgjisë t’i jepej statusi i vendit kandidat.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha të hënën se do të ishte e tmerrshme për Kievin dhe Bashkimin Evropian nëse në samit nuk do të ofrohej mbështetje për fillimin e bisedimeve rreth anëtarësimit.

“Nuk mund ta imagjinoj… as nuk dua të flas për pasojat”, tha Kuleba./UBTNews/

Exit mobile version