UBT News

Evropa përgatitet për një fluks refugjatësh

Fqinjtë e Ukrainës po përgatiten për një fluks refugjatësh pas sulmit rus ndaj Ukrainës. Ndërsa Ukraina u godit nga sulmet ajrore ruse në orët e hershme të mëngjesit, shumë njerëz u mblodhën dhe u larguan nga Kievi për në fshat ose në kufi me Bashkimin Evropian. Trafiku i dendur ndikoi që të bllokohen rrugët jashtë disa qyteteve dhe disa shkuan këmbë drejt Polonisë dhe Hungarisë.

Shefi i OKB-së për refugjatët paralajmëroi se ndikimi humanitar do të jetë “shkatërrues”.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për zhvendosjen, për njerëzit që po ikin”, tha Filippo Grandi për Lyse Doucet të BBC-së, e cila ndodhet në Kiev.

“Ne vlerësojmë se më shumë se 100 mijë janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre në Ukrainë duke kërkuar siguri në pjesë të tjera të vendit”, tha ai duke folur nga Gjeneva. Grandi shtoi se agjencia e tij ka grumbulluar furnizime për të ofruar ndihmë për njerëzit në Ukrainë, por nuk mundi të vepronte sepse aksioni ushtarak ishte duke ndodhur.

Fqinjtë evropianë të Ukrainës thonë se janë gati të presin refugjatët që do të largohen nga vendi me 44 milionë banorë, një nga më të populluarit në Evropë.

Polonia thotë se po përgatit spitale për fluksin e ukrainasve të plagosur dhe po vendos pika pritjeje për refugjatët përgjatë kufirit të saj. Ministri i Brendshëm, Mariusz Kaminski tha se po përgatitej për një “valë refugjatësh”.

“Polonia është një vend i sigurt për qytetarët tanë, do të jetë gjithashtu një vend i sigurt për fqinjtë tanë”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Moldavia, në jug të Ukrainës, tha se tashmë një numër njerëzisht kanë ikur nga Ukraina, madje edhe para fillimit të pushtimit të së enjtes.

“Ne presim shifra edhe më të mëdha”, i tha BBC-së Roland Schilling, përfaqësuesi rajonal i Agjencisë së OKB-së për refugjatët.

“Ne jemi të vetëdijshëm për radhët e mëdha që krijohen në pikat kufitare. Ne po përgatisim përgjigjen tonë humanitare së bashku me agjencitë e tjera të OKB-së”, shtoi ai.

Sllovakia dhe Hungaria po dërgojnë gjithashtu trupa në kufi për t’u marrë me fluksin e pritshëm të refugjatëve.

Dita e enjte ka parë një rrjedhje të vazhdueshme refugjatësh në kufijtë hungarez dhe polakë, derisa familjet kalojnë në këmbë me valixhet e tyre./UBTNews/

Exit mobile version