Një institucion financiar evropian është gati për ta ndihmuar Malin e Zi që t’i shlyejë një borxh Kinës, në vlerë prej një miliard dollarësh.
Këtë borxh, Mali i Zi e kishte marrë për një projekt të diskutueshëm të autostradës.
Ministri malazez i Financave, Millojko Spajiq, tha se kredia me interes të ulët nga institucioni financiar do t’i mundësojë Qeverisë malazeze të bëjë kursime dhe të ulë normat e interesit.
Spajiq tha se nuk mund ta zbulojë huadhënësin, por shtoi se bisedimet janë “në fazën e fundit”.
Ai i bëri këto komente më 17 qershor, para Komisionit parlamentar për Financa dhe Buxhet.
Një burim i Bashkimit Evropian konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për sigurimin e kredisë është në proces të përfundimit dhe se ajo do të nënshkruhet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Marrëveshja mund t’u japë fund pasigurive të vazhdueshme rreth borxhit në Mal të Zi dhe marrëdhënieve të këtij vendi me BE-në.
Autostrada, e cila nuk ka përfunduar ende, dhe borxhi për të cilën Mali i Zi ka marrë kredi nga Banka Export-Import e Kinës, janë në qendër të një debati të nxehtë për ndikimin e Kinës në Evropë.
Prania e Kinës në Ballkan duket e madhe dhe është rritur viteve të fundit.
Kina ka investuar miliarda në rajon dhe ka rritur shqetësimet për varësi financiare nga Pekini – gjë që mund të komplikojë zgjerimin e BE-së drejt lindjes dhe shpresat e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në BE.
Stefan Vlladisavlev, analist në Fondin për Përsosmëri Politike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se rifinancimi i borxhit të Malit të Zi do ta ndihmojë luftën kundër ndikimit në rritje të Kinës në Ballkan.
“Mali i Zi është më i rëndësishëm për BE-në sesa është për Pekinin. Kjo [kredi] është një hap i arsyeshëm për Brukselin”, thotë Vlladisavlev.
Por, sipas tij, BE-ja po ndërhyn për të ndihmuar Podgoricën që t’i stabilizojë financat, vetëm pasi zyrtarët malazezë i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme ndihmë.
“Përgjigjja duhet të jetë më vendimtare”, thotë Vlladisavlev.
“Megjithatë, është gjë e mirë që BE-ja po kërkon një mekanizëm të mundshëm për ta ndihmuar Malin e Zi dhe kjo duhet të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të bllokut [në Ballkan]”, shton ai.
Borxhi i autostradës
Mali i Zi ka huazuar një miliard dollarë nga Kina në vitin 2014, për të financuar pjesën e parë të autostradës prej 163 kilometrash, për në Serbinë fqinje.
Vetë projekti është i ndarë në tre seksione, ndërsa huaja kineze mbulon vetëm 41 kilometrat e parë.
Seksioni i parë i autostradës fillimisht është dashur të përfundojë në vitin 2019, por vonesat në ndërtim dhe pandemia COVID-19 e kanë shtyrë afatin deri më 30 nëntor.
Pavarësisht dështimit të disa studimeve të fizibilitetit, projekti e ka marrë dritën jeshile nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, e cila ka marrë huanë masive kineze për të financuar autostradën.
Gjukanoviq është tani president i Malit të Zi, ndërsa qeveria aktuale – e cila është votuar në muajin dhjetor – përbëhet nga partitë e opozitës, që kryesisht e kanë kundërshtuar projektin e autostradës dhe tani kërkojnë zgjidhje financiare për borxhin në rritje.
Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq i ka shprehur publikisht shqetësimet për borxhin ndaj Kinës në muajin mars. Atëbotë, ai u ka thënë ligjvënësve malazezë se BE-ja duhet të ndihmojë në shlyerjen e huasë, për ta mbrojtur Malin e Zi prej varësisë nga Kina.
BE-ja, megjithatë, nuk ka pranuar të ndihmojë drejtpërdrejt me huanë, por agjencia e lajmeve Reuters ka njoftuar më 11 qershor se Brukseli po përpiqet të mbështetet në një kombinim midis Bankës gjermane të Kredive të Rindërtimit, Agjencisë franceze të Zhvillimit dhe bankës CDP në Itali, për të ndihmuar Malin e Zi.
Qeveria e Malit të Zi – një koalicion me një diferencë të vogël në parlament – aktualisht po lufton me një mori çështjesh politike dhe ekonomike, derisa përpiqet të stabilizojë edhe financat e saj.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e këtij vendi, e cila varet nga turizmi, është tkurrur për 15.2 për qind në vitin 2020, për shkak të kufizimeve në udhëtime të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Por, parashikimet aktuale tregojnë se ekonomia e Malit të Zi mund të rritet për 9 për qind në vitin 2021.
Kina mban afërsisht një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili ka arritur në 103 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, vitin e kaluar.
Pekini është pajtuar që të shtyjë pagesën e këstit të parë të huasë nga Mali i Zi. Kjo pagesë fillimisht është dashur të bëhet në korrik, por është shtyrë për në fund të vitit 2022.
Kina dhe Bashkimi Evropian
Gjetja e një zgjidhjeje për problemet ekonomike të Malit të Zi është një test për qëndrimin e Brukselit në Ballkan dhe për gatishmërinë e BE-së për t’iu kundërvënë gjurmëve të Kinës në këtë rajon, thonë analistët.
“Nuk ka dyshim se Kina është faktori kryesor që udhëheq vendimmarrjen e BE-së”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.
“Mali i Zi mund të jetë një [fitore] gjeopolitike e lehtë, por shumë e madhe për Kinën në rajon. Dëmtimi i interesave të BE-së në rajon do të jetë i pariparueshëm nëse ajo nuk ndërhyn”, thotë ai.
Mali i Zi, i cili është bërë shtet i pavarur kur është shkëputur nga Serbia në vitin 2006, është anëtarësuar në NATO në vitin 2017 dhe po punon për të marrë dritën jeshile për anëtarësim në BE.
Si shumë vende në rajon, Mali i Zi gjithashtu ka lidhje të forta me Rusinë dhe i është drejtuar Kinës gjithnjë e më shumë, për investime dhe ndërtim të infrastrukturës.
Vuksanoviq thotë se kredibiliteti i BE-së në rajon do të varet nga mënyra se si Brukseli vazhdon ta ndihmojë fqinjin e tij të vogël në Ballkan.
“Kjo i jep Qeverisë malazeze më shumë hapësirë për të marrë frymë dhe një manovrim më të mirë në trajtimin e borxheve ndaj Kinës”.
“Megjithatë, Kina nuk është tërësisht humbëse këtu. Le të mos harrojmë se ajo do të paguhet në fund”, thotë Vuksanoviq.