Liderët evropianë po ashpërsojnë masat për të pavaksinuarit, kështu duke i izoluar ata nga pjesa tjetër e shoqërisë, teksa frustrimi po rritet për shkak të ngecjes së procesit të vaksinimit dhe përhapjes së një vale të re të infeksioneve në kontinent.
Gjermania mund të jetë vendi i ardhshëm që do të vendosë masa më strikte për ata që s’janë vaksinuar plotësisht, pasi partitë që përbëjnë qeverinë e re të mundshme të koalicionit e forcuan qasjen ndaj COVID-19 në parlament.
Me masat e propozuara, gjermanëve do t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit ose teksti negativ. Bashkëdrejtuesi i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck i tha transmetuesit publik ARD të dielën se masat që do të hyjnë në fuqi janë “izolim për të pavaksinuarit”.
Rreth dy e treta e gjermanëve janë plotësisht të vaksinuar — një nga normat më të ulëta në Evropën Perëndimore — dhe politikanët kryesorë të vendit janë kthyer në retorikë të ashpër dhe masa kufizuese në përpjekje për të rritur normën e vaksinimit.
Ndërkohë infeksionet po rriten me shpejtësi. Vendi po i afrohet një mesatareje shtatëditore prej 40 mijë rastesh të reja në ditë, shkalla më e lartë që nga fillimi i pandemisë dhe më shumë se dyfishi i shifrës në fillim të nëntorit.
Kufizimet e reja për personat e pavaksinuar hynë në fuqi në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin të hënën. Për hyrjen në bare, restorante, kinema dhe ambiente të tjera argëtimi kërkohet vërtetimi i vaksinimit ose shërimit të plotë nga COVID-19 në gjashtë muajt e fundit. Por vala aktuale e infeksioneve po prek kryesisht pjesët jugore dhe lindore të vendit, ku norma e vaksinimit është më e ulët.
Nëse koalicioni bie dakord për masat e propozuara, Gjermania do të bëhet vendi tjetër evropian – pas fqinjit të saj, Austrisë, që do t’i bllokojë kryesisht njerëzit e pavaksinuar. Ky vendim hyri në fuqi të hënën në Austri.
Austria, ku norma e vaksinimit është më e ulët se në Gjermani, po përballet me një valë intensive infeksionesh. Në të kundërtën, Spanja dhe Portugalia kanë normat më të larta të vaksinimit në Evropë.
Shtetet tjera të Evropës po miratojnë masa të dizajnuara për të përmirësuar normën e vaksinimit. Të hënën, kryeministri britanik, Boris Johnson konfirmoi se një vaksinë e tretë përforcuese së shpejti do të kërkohet, për t’u konsideruar vaksinim i plotë. Ky hap tashmë është ndërmarrë në Francë, ku rastet po rriten. Vendi prezantoi rregulla më të rrepta këtë javë për udhëtarët e pavaksinuar nga 16 vende të BE-së.
Tensionet po rriten në disa pjesë të bllokut; në Athinë, punonjësit e sektorit të shëndetit publik protestuan të hënën për paga dhe kushte më të mira mes presionit në rritje ndaj spitaleve greke./UBTNews