Dy ura në fshatin Dobroshec të Drenasit janë shembur si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut dhe borës.
Kështu tha për Ekonomia Online zëdhënësi i kësaj komune, Bekim Dobra. Ai tha se gjendja është vështirësuar në disa zona.
“Pas reshjeve të mbrëmshmit gjendja është vështirësuar në komunën e Drenasit. Kemi zona të përmbytura kryesisht në ato që janë më të rrafshëta”, është shprehur Dobra.
Sipas tij, në fshatin Poklek i Ri janë evakuuar 18 familje shtëpitë e të cilëve janë përmbytur.
“Në Poklek të Ri janë vërshuar disa shtëpi familjare. Menjëherë komuna ka formuar shtabin emergjent për t’i dalë në ndihmë. Deri më tani janë evakuuar 18 familje dhe janë dërguar në hotelet e qytetit. Po presim që ditëve në vazhdim t’u ndihmojmë edhe atyre familjeve tjera”, ka shtuar ai.
Dobra ka theksuar se dy ura në fshatin Dobroshec janë përmbytur duke bllokuar qarkullimin.
“Kemi të dëmtuar po ashtu edhe urën siç po shihni këtu në fshatin Dobroshec, ku edhe ura tjetër është dëmtuar krejtësisht dhe e ka bërë të pamundur kalueshmërinë e banorëve”, ka thënë ai.
Për fund ai ka njoftuar se bashkë në ndihmë u ka dalë edhe FSK-ja.
“Ne me Qeverinë e Kosovës e kemi bërë një kërkesë për një improvizim të asaj ure. Na ka dalë në ndihmë edhe FSK-ja, dhe shërbimi i zjarrfikësve”, ka përfunduar Dobra.